ALBUK TV LIVE

Tatimi te profesionet e lira, Tabaku: Cenon parimin e sigurisë juridike dhe shkel barazinë përpara ligjit

Sipas Kushtetutës, deputetët mund të dorëzojnë në Gykatën Kushtetuese (GJK) një padi, që prek interesat e publikes dhe jo interesa specifike. Për rrjedhojë, në padinë e paraqitur prej nesh në GJK ne kemi cekur vetëm interesat e së mirës publike që preken nga ligji i Tatimit për profesionistët e lirë.

Padia e parë në Gjykatën Kushtetuese ndaj ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, që nisi zbatimin me profesionet e lira, u bë nga Partia Demokratike. Cilat janë argumentet ligjore mbi të cilat mbështetet ankimimi juaj në Gjykatë, për shfuqizimin e disa neneve? Ku bazohet shkelja e Kushtetutës dhe moszbatimi i ligjit?

Përpara se të sqaroj në detaje padinë e depozituar nga grupi parlamentar i PD, më duhet të sqaroj se çfarë detyron Kushtetuta për një grup deputetësh kur dorëzojnë padi në Gjykatën Kushtetues. Sipas Kushtetutës, deputetët mund të dorëzojnë në Gykatën Kushtetuese (GJK) një padi, që prek interesat e publikes dhe jo interesa specifike. Për rrjedhojë, në padinë e paraqitur prej nesh në GJK ne kemi cekur vetëm interesat e së mirës publike që preken nga ligji i Tatimit për profesionistët e lirë.

Ne gjykojmë se ligji që taton profesionistët e lirë ka cenuar parimin e sigurisë juridike, që garantohet në Kushtetutën e Shqipërisë, ku është e sanksionuar siguria juridike që do të thotë, ndër të tjera, se qytetarët duhet të sigurohen për pandryshueshmërinë e ligjit për marrëdhëniet e rregulluara më parë.

Kjo do të thotë se një qytetar nuk ka përse jeton me frikën se shteti mund t’i imponojë atij ndryshime të vazhdueshme që ia bëjnë të vështirë jetesën dhe zhvillimin. Në rastin konkret, vendosja e këtij tatimi mbi profesionistët e lirë dhe aplikimi i tij për këtë vit është në të vërtetë një ofertë pasigurie juridike që u imponohet profesionistëve të lirë.

Nga ana tjetër, ne kemi argumentuar në padinë tonë, që këto ndryshime vijnë në një moment kur ekonomia jonë është goditur nga tërmeti, por edhe Covid-19. Në të vërtetë, siç është paraqitur dhe në padinë tonë, ne kemi evidentuar disa raste ku vetë qeveria socialiste ka paraqitur situatën e rënduar të biznesit për të ndërmarrë ajo disa nisma ekonomike në ndihmë të biznesit.

Ndaj është shumë e palogjikshme që në këto kushte dhe në këto momente, kur shohim që rritja ekonomike nuk është ajo e pritura dhe as afër pritshmërive të ndërmerren masa të tilla fiskale që ngarkojnë me një barrë të rëndë fiskale profesionistët e lirë.

Së dyti, ne kemi gjykuar dhe ngritur në padi shqetësimin se këto ndryshime cenojnë parimin e barazisë përpara ligjit. Një nga shkaqet e diskriminimit lidhet edhe me gjendjen ekonomike, çka nënkupton të ardhurat që mund të gjenerojë një person fizik apo juridik gjatë një kohe të caktuar. Kushtetuta është treguar shumë e qartë se askush nuk mund të diskriminohet për gjendjen ekonomike, përveçse kur ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive.

Kjo në rastin tonë përkthehet në trajtimin me dopio standard të profesionistëve të lirë, në raport me bizneset e tjera. Pasi sipas ligjit të ri, bizneseve të tjera u jepet kohë për t’u adaptuar me një normë të re fiskale, ndërkohë që profesionistëve të lirë, kjo kohë nuk iu është dhënë, duke shkelur kështu barazinë përpara ligjit që është në themel të Kushtetutës.

Ky parim i pabarazisë mund ta ketë frymëzimin te Ferma e Kafshëve, por asnjëherë nuk mund të gjejë vend në një demokraci dhe shtet të së drejtës.

Së fundi, në gjykimin tonë, është se të gjitha këto ndryshime ligjore dhe abuzive do të kenë reperkusione të qarta në shtrenjtimin e jetës së qytetarëve, duke parë kushtet dhe rrethanat se si po aplikohen.

Një shtrenjtim i kostos që vjen si pasojë e dështimit të administratës tatimore që s’mund të jetë shkaku që të vendoset një taksim i padrejtë dhe i pandershëm.

Në Gjykatën Kushtetuese janë dërguar edhe dy padi të tjera, nga IKM dhe IEKA dhe një padi masive nga avokatë dhe profesionistë të fushave të ndryshme etj. Çfarë do të thotë kjo nga ana juridike që një ligj pa nisur mirë nga zbatimi paditet tre herë?

Ky është një tjetër hap shumë pozitiv jo vetëm se zërat rriten në lidhje me këtë çështje, por njëkohësisht sepse ofrojnë një tjetër anë të situatës. Si grupe interesi, ato mund të ofrojnë arsye të tjera që i bashkëngjiten padisë sonë dhe mundësi të tjera për Gjykatën Kushtetuese që ta kuptojë çështjen në të gjithë këndvështrimet.

Madje do të dëshiroja që gjithnjë e më shumë grupe interesi, si ato të Teknologjisë së Informacionit dhe jo vetëm të angazhohen dhe ato në padi, për të treguar situatën e tyre.

Tashmë, subjekteve fizike dhe të vetëpunësuarve u kanë ardhur vlerësimet me detyrimin e këstit të parapagimit për tatimin. A është korrekte përmbajtja juridike për dërgimin e tyre, si dhe llogaritjet për parapagimin e detyrimit ndaj profesioneve të lira?

 Udhëzimi i lëshuar nga Drejtoria e Tatimeve bie në kundërshtim me vetë ligjin që ne kemi dërguar në GJK. Gjithsesi ai udhëzim është pasqyra e saktë e qeverisë dhe mënyrës se si operon. Fakti që udhëzimi nuk njeh shpenzimet prej 30%, në të vërtetë tregon arsyen se përse qeveria ka vendosur të aplikojë taksimin mbi profesionistët e lirë.

Me atë udhëzim, që është realisht i pabazë, ne mund të shohim fytyrën e vërtetë të qeverisë. Takson të dobëtin më fortë dhe më pas mbështet të fortët, duke u treguar e dobët.

Kjo s’mund të jetë Shqipëria që duam të ndërtojmë dhe as një sistem i ndershëm dhe i drejtë që mbështet sipërmarrjen dhe promovon biznesin dhe inovacionin. Në të kundërt, ky është një sistem i padrejtë.

Në vlerësimin tuaj, çfarë efektesh pritet të shkaktojë te bizneset zbatimi i këtij ligji, nëse Kushtetuesja nuk vendos pezullimin?

Tatimi mbi profesionistët e lirë është një nga gurët e shumtë që mban kolonën e sistemit të padrejtë fiskal, shtylla tjetër është ajo e korrupsionit dhe të dyja këto mbajnë ngrehinën e një sistemi të korruptuar dhe të padrejtë fiskal që po shkatërron thelbin e vendit tonë, duke e degraduar më tej shpirtin sipërmarrës. Një sistem i padrejtë lufton nga natyra e tij drejtësinë dhe kërkesën për zhvillim.

Sistemi fiskal i ngritur që prej vitit 2013 ka prodhuar evazion të lartë fiskal, informalitet të lartë dhe shmangie nga taksat. Të dhënat nga buxheti i shtetit tregojnë se qeveria ka mbledhur mesatarisht thuajse 25-26% e PBB-së me të ardhurat.

Barra fiskale i ka rënë shtresës së mesme dhe ndërkohë, rritjen e dobët ekonomike, sipas të gjitha shifrave dhe raporteve, nuk e kanë përjetuar qytetarët, pasi nuk ka arritur tek ata.

Përse? Sepse sistemi i korrupsionit pasi merr taksat maksimale 95% të shqiptarëve ua jep një pakice në formën e tenderimeve dhe koncesioneve.

Ky rreth vicioz dhe i dëmshëm për ekonominë do të përsëritet më keq në rastin e profesionistëve të lirë. Disa do të mbyllin bizneset e tyre, duke gjetur formula të tjera si largimi nga vendi (Brain gain), disa të tjerë mund të nisin të gjejnë arnime ligjore dhe forma për t’i ikur (siç ka ndodhur le të themi kur qeveria nisi eksperimentet për biznesin e vogël), të tjerë do të hapin sipërmarrje në vende jashtë Shqipërisë, të tjerë do të rrisin çmimet e shërbimeve.

Imagjinoni një noter në një qytet jashtë Tiranës, në Kukës ku ka dhe varfërinë më të madhe. Çmimet e shërbimeve të tyre do të rriten me dy apo tri herë dhe kjo do jetë kosto për qytetarin në qarkun më të varfër në Shqipëri.

Shërbimet do të shtrenjtojnë edhe çmimet e apartamenteve, apo shërbimeve që lidhen me noterinë edhe kështu me radhë. Kjo do të përkthehet në zinxhirin e shërbimeve dhe çmimeve duke shtrenjtuar jetën për të gjithë qytetarët dhe duke inflacionuar ato çmime.

Imagjinoni një qytetar që do të duhet të paguajë më shtrenjtë për një prokurë, akt trashëgimie apo ndonjë akt tjetër noterial në shitblerje. Të gjitha kosto në xhepin e shqiptarëve që kanë të ardhurat për frymë më të ulëtat në Europë dhe Ballkanin Perëndimor.

Sistemi i padrejtë i ngritur është kosto më e lartë për qytetarët, taksa të padrejta për shtresën e mesme dhe të gjitha shkojnë në buxhetin e qeverisë që shpërndahet me qoka./ Monitor

The post Tatimi te profesionet e lira, Tabaku: Cenon parimin e sigurisë juridike dhe shkel barazinë përpara ligjit appeared first on ALBUK UK NEWS.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *