Gazetari i mirënjohur, Blendi Fevziu në një intervistë për “Mirëmëngjesi Shqipëri”, ka rrëfyer jetën e 39 personazheve të shpalosur në librin e tij më të fundit “Takimet e mia me…”.
Një prej këtyre personazheve, pjesë e librit të tij, është dhe Kryeministri Edi Rama. Për këtë të fundit, Fevziu u shpreh se në momentin që e ka njohur, ka qenë një personazh interesant në Shqipërinë e fund viteve ’80.
Fevziu thekson se nëse dikush atëherë do e pyeste mbi të ardhmen e Ramës, vetëm kjo që ka sot, nuk do i kishte shkuar kurrë ndër mend. Më tej, Fevziu shprehet se më tepër do e mendonte Ramës si një hero cinik që tallej me provincializmin dhe falsitetin, se sa të ulur në fronin e mbretërisë së falsitetit politik që Shqipëria, sikurse tha ai, prodhoi në 30 vitet e fundit.
“Te Rama kam një pjesë, ku bëj dhe një lloj rivlerësimi për të: pjesa kur flas për Ramën dhe raportin e tij më të shkuarën. Ai ishte një personazh shumë interesant në Shqipërinë e fund viteve ’80. Dukej atipik. Kam pjesën kur e kam takuar për herë të parë personalisht, dhe them që: nuk kujtoj mirë atë takim, ishte një diskutim sa politik aq dhe letrar. U fol për Berishën dhe PD, aq sa u diskutua për Kadarenë dhe Martin Camajn. Një gjë më bëri shumë përshtypje them, Edi Rama ishte një njeri sa ambicioz dhe njohës i mirë i eventeve politike. Dukej që e kishte ndjekur çdo gjë me vëmendje. Nëse dikush në atë moment do më pyeste se cila do të ishte e ardhmja e tij, vetëm atë që ka sot nuk do më shkonte kurrë nëpër mend.
Do ta mendoja më shumë një hero cinik që tallej me provincializmin dhe falsitetin, se sa ulur në fronin e mbretërisë së falsitetit politik që Shqipëria prodhoi në 30 vitet e fundit. Është transformimi i atij personazhi që dilte me poturet e gjera që në atë kohë, që e kishte tendencë që dilte kundër normalitetit, kundër standardit, që befas u kthye në mbretin e standardit më bazik që Shqipëria ka prodhuar”, u shpreh Fevziu.
Mbreti Zog është një tjetër personazh, që gazetari Fevziu e ‘dallon’ si një prej personazheve më interesante që ka historia e Shqipërisë. Fevziu shprehet se njeriu që krijoi konsolidoi shtetin shqiptar është Ahmet Zogu, dhe sipas tij, është një personazh që e sjellin rrethanat historike.
“Ai është personazhi më interesant që ka historia e Shqipërisë. Njeriu që krijoi dhe konsolidoi shtetin shqiptar është Ahmet Zogu, i dyti vjen Enver Hoxha dhe pas viteve ’90 dominancën kryesore e ka Sali Berisha.
Zogu është njeriu që në karrierën e tij është i pabesueshëm. U bë Ministër i Brendshëm në moshën 25-vjeçare, Kryeministër në moshën 26-vjeçare, u bë President në moshën 29-vjeçare, u bë mbret në moshën 33-vjeçare. Kur ti kthen kokën pas dhe bën bilancin e jetës së vet nuk besoj se do e mendonte ndonjëherë, edhe Meta që u bë Kryeministër në moshën 30-vjeç nuk e ka arritur dot.
Një njeri me energji të jashtëzakonshme. Ai ishte 21 vjeç, kur Kryeministri serb Pashiç e kërkoi në një takim individual, ka qenë po 21 vjeç kur shkoi në varrimin e perandorit të Austro-Hungarisë dhe u takua me takua me perandorin e ardhshëm Karl. Në brendësi është një personazh që e sjellin rrethanat historike.
Rrethanat e caktuara prodhojnë personazhe atipik të cilët nuk i përshtaten kushteve normale të zhvillimeve”, tha Fevziu.
The post Fevziu zbulon të “fshehtat” e takimeve me personalitetet. Po takimi i parë me Edi Ramën? appeared first on .