ALBUK TV LIVE

Në Shqipëri, nami me tendera mln euro, Biba i Konkurencës heton procedurën 40 mijë €

Pak ditë më parë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, nën drejtimin e Dallëndyshe Bicit, mbylli një tender për “rikonstruksionin e katit V dhe VI të godinës”, me vlerë rreth 2 milionë euro me TVSH.

Dokumentat treguan se në garë morën pjesë 6 operatorë ekonomikë dhe në fund u shpall fitues kompania me ofertën më të lartë.

Një pjesë e kompanive u skualifikuan, pasi nuk kishte dorëzuar thuajse asnjë dokument në tender, ndërsa pjesa tjetër për mangësi thelbësore në dokumentacion, duke ngritur dyshime se e gjithë procedura mund të jetë përdorur ‘skema e ofertës së mbuluar”, sipas të cilës krijohet një situatë konkurence fiktive, me qëllim fitimin e tenderit nga një prej kompanive.

Ky është një prej dhjetra rasteve që ndodhin çdo vit në tenderat e administratës publike. Rezultatet e këtyre tenderave të dyshimtë janë publike dhe raportohen rregullisht në media.

Por, tendera të tillë, me vlera miliona euro dhe ku janë përfshirë zyrtarë shumë të afërt me kryeministrin Edi Rama apo kompani që kanë lidhur ngushtësisht fijet me qeverinë, nuk arrijnë të ndezin “sinjalin e kuq” tek Autoriteti i Konkurencës.

Përkundrazi, institucioni i Konkurencës, nën drejtimin e Denar Bibës, tregohet shumë reaktiv, për tendera të dyshimtë, me vlera të vogla dhe ku janë të përfshira kompani “anonime” për qeverinë.

Në 26 Tetor 2023, Autoriteti i Konkurencës njoftoi se ka nisur hetim të thelluar kompanitë “Raimondo G.P shpk” dhe “Li.Bo – Albania Branch” Shpk., nën dyshimet se “ndërmarrjet mund të përdorin skemën e ofertës së mbuluar duke rënë dakord që njëri nga konkurrentët të paraqesë një ofertë e cila përmban terma specifike të cilat janë të papranueshme nga autoriteti kontraktues”.

Sipas Autoritetit të Konkurencës, “sjellja e ndërmarrjeve: Raimondo G.P SHPK dhe Li.Bo – Albania Branch SHPK, në tregun e prokurimit me objekt “Blerje pajisje instrumente, vegla elektrike dhe digjitale (pajisje për kontrollin dhe matjen e mbrojtjes katodike CIPS dhe DCVG)”, të zhvilluara nga autoriteti kontraktues, Albanian Gas Services Company SHA, hedh dyshime për kufizime të mundshme të konkurrencës nëpërmjet një marrëveshjeje të dyshimtë në oferta midis tyre”.

“Boldnews.al” verifikoi të dhënat e këtij tenderi. Ai rezulton të jetë shpallur në Prill 2023, me fond limit 4.8 milionë lekë të reja ose rreth 40 mijë euro.

Në procedurë kanë marrë pjesë 5 operatorë ekonomikë. Dy kompanitë e vendosura nën hetim të thelluar nga Autoriteti i Konkurencës, të drejtuara nga sipërmarrës italianë, rezulton se kanë paraqitur ofertat më të ulta.

Në foto: Tenderi me fond 40 mijë euro i shoqërisë publike “Albgaz”

Në përfundim, kompania publike “Albanian Gas Service” ka shpallur fituese shoqërinë “Raimondo G.P”, e cila ka paraqitur ofertën e dytë më të ulët. Para saj qëndronte shoqëria tjetër italiane, “Li.Bo – Albania Branch”, e cila u skualifikua për mungesë dokumentacioni.

Pikërisht, kjo renditje e dy kompanive italiane ka ngritur dyshimet tek Autoriteti i Konkurencës se mes tyre mund të jetë aplikuar skema e ofertës së mbuluar, ku kompania me ofertën më të lartë nuk ka paraqitur dokumentacionin e plotë, me qëllim që të fitonte kompania tjetër.

Tashmë, do të jetë hetimi i thelluar i Autoritetit të Konkurencës për të vlerësuar nëse dy kompanitë me sipërmarrës italianë kanë përdorur skemën e ofertës së mbuluar apo jo.

E gjithë kjo histori hyn në sferën e veprimtarisë së Konkurencës dhe mbetet për t’u vlerësuar nga institucioni.

Por ajo që bën përshtypje publikisht është fakti që Autoriteti i drejtuar nga Biba tregohet shumë i ndjeshëm për “tendera liliputë” dhe nuk rezulton të jetë kaq aktiv për tendera miliona euro, në sektorët më jetikë të vendit, përfshirë Shëndetësinë, Infrastrukturën, në të cilat dyshimet për “skemën e ofertës së mbuluar” janë aq masive, sa tashmë janë kthyer në një “normalitet”.

The post Në Shqipëri, nami me tendera mln euro, Biba i Konkurencës heton procedurën 40 mijë € appeared first on .

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *