Margariti “sfidon” Ramën, rehabilitimin e Urës së Matit e bën gjatë shirave të vjeshtës!

Elva Margariti, ministrja e Kulturës, ka “sfiduar” hapur kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit, në muajin prill 2023 akordoi një fond për rehabilitimin e Urës së Matit, e cila rrezikon të shembet. Ura është një Monument Kulture i Kategorisë I, ndërsa prej shumë vitesh, si pasojë e gërryerjes së lumit Mat ajo rrezikon të shembet.

Pavarësisht se shuma u dha në pranverë, ministrja Margariti ka urdhëruar vetëm në mes të muajit tetor 2023 të hapë një tender për rehabilitimin. Por, gjatë kësaj kohë, kanë filluar reshjet e shiut, të cilat e bëjnë të pamundur rehabilitimin. Aq më tepër që, nëse do të ndërhyhet në këtë kohë, rrezikon që edhe fondin prej gjysmë milioni euro ta marrë lumi, siç edhe mori urën.

Duket se përpjekjet e Margaritit kanë qenë të kota, pasi ajo ka vepruar me “hapin e breshkës”, teksa me fillimin e reshjeve në vjeshtë Monumenti i Kulturës rrezikon të shembet përgjithmonë. Por, kush do ta mbajë përgjegjësinë? Firmat që veprojnë prej vitesh për nxjerrjen e inerteve në atë lumë apo ministrja e Kulturës, si “pronarja” e atij monumenti?!

Natyrisht, të gjitha faktet të çojnë se institucionet shtetërore veçse e lejuan një masakër të tillë, duke na zhdukur një tjetër trashëgimi të bërë nga dora e njeriut. Askujt s’i intereson ruajtja e një Monumenti të tillë, ndërsa veprimet veçse thellojnë abuzimet e pushtetit.

Shpallja e njoftimit të tenderit të rehabilitimit të Urës së Matiti është shpallur në mes të tetorit

Dokumenti i mësipërm është shpallja e tenderit nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, për rehabilitimin e Urës së Matit, ose siç njihet “Ura e Zogut”. “Ministria e Kulturës njofton subjektet e interesuara të licencuara në zbatim, mbikëqyrje dhe kolaudim në pasuritë kulturore të marrin pjesë me ofertat e tyre publike në konkursin publik të shpallur nga ky institucion. Emërtimin dhe vendndodhjen e objektit ‘Ura e Matit’. Lloji i punës është ‘ndërhyrje emergjente në objektin Monument Kulture ‘Ura e Matit’”, thuhet në këtë dokument. Mësohet se fondi limit i procedurës së konkurrimit publik është 46.663.423 lekë pa TVSH, teksa afati i realizimit të kontratës është 30 ditë nga data e lidhjes së kontratës. Firmat kanë vetëm 3 ditë për dorëzimin e ofertave, ndërsa mësohet se në fund të tetorit pritet të shpallet edhe fituesi.

Sipas përllogaritjeve që duhet të përfundojë brenda 3 muajve, rezulton se punimet do të bëhen në muajt e dimrit, dhjetor, janar apo shkurt. Por, a mund të punohet në këto muaj në një lumë me prurje të mëdha? Këtë përgjigje duhet ta japë Margariti se përse e la në dimër rehabilitimin e këtij Monumenti të Kulturës.

VKM-ja për rehabilitimin e Urës së Matit u miratua në muajin prill 2023

Por, kur është dhënë fondi nga qeveria për rehabilitimin e kësaj vepre? Sipas dokumenteve që disponon redaksia e BoldNews.al, paratë janë dhënë në muajin prill 2023. “Një shtesë fondi në buxhetin e Ministrisë së Kulturës, për vitin 2023, për financimin e projektit teknik të ndërhyrjes emergjente në objektin, monument kulture, kategoria e I-rë ‘Ura e Matit’”, ishte emërimit i VKM-së. Më tej thuhej se “Ministrisë së Kulturës, në buxhetin e vitit 2023, në programin ‘Trashëgimia kulturore dhe muzetë’, t’i shtohet fondi prej 57.515.644 lekësh në shpenzime kapitale, për financimin e projektit teknik të ndërhyrjes emergjente në objektin, Monument Kulture, kategoria e I-rë ‘Ura e Matit’. Ky fond përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2023” thuhej në VKM-në.

Megjithatë, Margariti ka vepruar tepër ngadalë, pasi tenderin e ka hapur vetëm ditët e fundit. Kjo ka sjellë që Monumenti i Kulturës, i konsideruar një xhevahir i rrallë i trashëgimisë sonë kombëtare, të shembet.

Ura u inaugurua më 26 maj të vitit 1927. Me një gjatësi prej 480 metrash dhe me 5 harqe, kjo urë cilësohet si një nga veprat e para inxhinierike, moderne të shekullit XX. Kur u ndërtua, nuk kishte simotra në Ballkan dhe, përveç gjatësisë së konsiderueshme, veçantia e saj lidhet kryesisht me strukturën arkitekturore, stilin e harqeve dhe lokalitetin mjaft piktoresk në të cilin ndodhet. Por, prej 30 vitesh shtrati i lumit Mat ka rënë pre e babëzisë për inerte. Si pasojë e shfrytëzimit pa asnjë kriter, madje edhe në zona të ndaluara, siç janë ato në afërsi të urave, nga shtrati i këtij lumi janë larguar përfundimisht miliona tonë inerte.

The post Margariti “sfidon” Ramën, rehabilitimin e Urës së Matit e bën gjatë shirave të vjeshtës! appeared first on .

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *