Janë të shumtë profesionistët, me të ardhura të qëndrueshme, që po investojnë në blerje apartamentesh për dhënien e tyre me qira ditore.
Tendenca është në rritje edhe nga sipërmarrës që më tepër preferojnë blerjen e disa pronave me qëllim zhvillim e aktivitetit të qirasë afatshkurtër.
Por, në një kohë kur në zonat kryesore të kryeqytetit çmimet e qirasë ditore varijojnë mesatarisht nga 25 deri 45 euro nata, për shumë individë që disponojnë vetëm 1 pronë, mbajtja e saj hapur si biznes për qira ditore konsiderohet e paleverdishme.
“Prej disa muajsh apartamentin pranë “Shallvareve” të cilin e jepja me qira ditore e kam kthyer për dhënie qiraje afatgjatë, për shkak të kostove të larta për mirëmbajtjen dhe tarifat e komisioneve në platformat ndërkombëtare. 40% e të ardhurave mujore shkonin për mirëmbajtjen e pronës dhe tarifat e komisionit në Booking.
Ndërsa me vendosjen e TVSH-së 20% për komisionet e Booking dhe pagesën 15% të të ardhurave vjetore nga tatimet, kthehet në një biznes të paleverdishëm”, pohon GJ.K pronari i një apartamenti të blerë në Tiranë me qëllim qiradhënie.
Por kthimi i investimit nëpërmjet qirasë mbetet i paleverdisshëm edhe për qiradhënien afatgjatë. Agjencitë imobiliarë llogarisin se koha e kthimit të investimit nëpërmjet qirasë në Tiranë varion nga 20 deri në 25 vjet, për shkak të çmimeve të larta të blerjes së një apartamenti (minimumi 1,000 euro për metër katror) dhe qirasë së ulët.
Shumë shqiptarë kanë preferuar më tepër këtë investim ta bëjnë jashtë sesa në Shqipëri. Kryesisht vendi më i preferuar mbetet Dubai ku koha e kthimit të investimit nëpërmjet qiradhënies llogaritet deri 7 deri 10 vjet, për shkak të çmimeve më të lira të pronave dhe qirasë më të shtrenjtë.
Për nga leverdishmëria e investimit, edhe Dritan Laci “Guest House Laci” thotë se ende nuk e konsideron një sipërmarrje fitimprurëse, pasi koha mesatare e net qëndrimit në muaj është e ulët dhe kostot për mbarëvajtjen mbeten të larta.
Pavarësisht se pritshmëritë mbeten pozitive për ecurinë e kërkesës, formalizimi i sektorit sipas tij do të jetë një barrë e papërballueshme për këto struktura.
Deri tani në formë siç kanë operuar bizneset e dhënies me qira ditore sipas agjentëve imobiliarë më e leverdishme është menaxhimi i portofolit të disa pronave, një model aktiviteti që më tepër po zhvillohet nga agjencitë.
The post A ia vlen të investosh për të dhënë një apartament me qira ditore appeared first on .