Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha të hënën (27 Nëntor) se Shtetet e Bashkuara duan “sqarim nga Serbia se çfarë ka nënshkruar me Rusinë në Nju Jork”, duke nënvizuar se në këtë periudhë “askush nuk do të duhej të nënshkruante asgjë me Rusinë”.
Të premten (24 Nëntor) ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviç nënshkroi marrëveshjen për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme me ministrin e jashtëm rus Sergey Lavrov në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.
Njoftimi nxiti kritika të ashpra të një pjese të opozitës në Serbi por edhe të disa politikanëve të Bashkimit Evropian. Ministri serb Selakoviç u përpoq të dielën të ulë rëndësinë e marrëveshjes duke thksuar se ajo është “teknike” dhe nuk lidhet me çështjet e sigurisë.
Të hënën Hill tha se në këtë periudhë askush nuk do të duhej të nënshkruante asgjë me Rusinë dhe “pak veta e bëjnë një gjë të tillë, përveç atyre rekrutëve të mjerë që mobilizohen për t’u dërguar në luftë”.
Ambasadori amerikan tha se gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Shtetet e Bashkuara zhvilluan “bisedime të frytshme” me delegacionin e Serbisë për çështje globale por edhe çështje tjera.
“Vetëm më pas dëgjuam për atë dokument. Duam të dëgjojmë se çfarë dëshiron të bëjë Serbia në të ardhmen dhe të shohim se çfarë marrëdhëniesh do të zhvillojë me një vend që sulmoi brutalisht fqinjin e tij dhe madje shfrytëzon kërcënimet për të përdorur forcën bërthamore. Ne duam të kuptojmë se në çfarë mbështetet bashkëpunimi midis Serbisë dhe Rusisë”, tha ambasadori Hill, duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara duan sqarim nga Serbia”.
The post Ambasadori amerikan në Beograd, Hill: Çështja kryesore është se çfarë marrëdhënie do të ketë Serbia me Rusinë appeared first on .