Pas tensioneve që zgjasnin prej ditësh dhe manovrimeve të shumta politike në prapaskenë, kryeministrja franceze Elisabeth Borne tha dorëheqjen të hënën në mbrëmje, bëri të ditur pallati presidencial.
Pas dorëheqjes së Borne, ministri i arsimit Gabriel Atal u emërua kryeministër i Francës nga presidenti Emanuel Macron, duke hyrë në histori si drejtuesi i qeverisë me moshë më të re në vend, pasi është vetëm 34 vjeç.
Elizabeth Borne drejtoi qeverinë franceze që nga mesi I majit 2022, ndërsa dorëheqja e saj lidhet me debatet e forta politike mbi një ligj të diskutueshëm migracioni që synon të shtrëngojë kontrollet shtetërore mbi të dhe të përmirësojë integrimin. Ligji i miratuar muajin e kaluar shkaktoi polemika brenda partisë së presidentit Macron, me 20 vota kundër dhe 17 abstenime.
Në shenjë proteste ndaj ligjit ministri i Shëndetësisë, Aurélien Rousseau dha dorëheqjen dhe po ashtu anëtarë të tjerë të kabinetit të krahut të majtë kishin menduar të largoheshin nga qeveria.
Macron përmes një postimi në X falenderoi Borne për shërbimin, guximin dhe përkushtimin ndaj kombit. Qeveria në largim është gjendur në një situatë të vështirë, duke mos pasur më një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare në 18 muajt e fundit.
Për shumë prej vendimeve dhe projekteve të saj qeveria e Elisabeth Borne ka qenë e varur nga votat e opozitës. Si kryeministre, Borne u përpoq pa u lodhur të gjente kompromise. Megjithatë, qeveria nuk gjeti një partner të besueshëm në parlament. Projekti thelbësor i reformës së pensioneve të Macronit u shty përfundimisht nga qeveria pa një votim përfundimtar në Asamblenë Kombëtare.
Macron shpreson të ecë përpara me qeverinë e re dhe të mbajë kampin e tij të bashkuar me synimin për t’u fokusuar tek zgjedhjet për Parlamentin Evropian që mbahen në pranverë.
The post Franca emëron kryeministrin më të ri në historinë e saj, Gabriell Atall vetëm 34 vjeç appeared first on ALBUK UK NEWS.