Policia federale bastisi zyrat e Partisë Liberale të zotit Bolsonaro dhe konfiskoi dokumente dhe kompjutera. Megjithëse udhëheqësi i djathtë i humbi zgjedhjet, ai nuk e lëshoi dekretin për të vënë në lëvizje fazën përfundimtare të grushtit të shtetit për të cilin akuzohet.
Dokumentat e gjykatës tregojnë se, komploti i supozuar përfshinte nënshkrimin e një dekreti nga zoti Bolsonaro në rast të humbjes së zgjedhjeve të vitit 2022 për të deklaruar se votimet ishin manipuluar dhe të justifikonte kështu një ndërhyrje të mundshme ushtarake dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Megjithëse zoti Bolsorano i humbi zgjedhjet, ai nuk e nënshkroi dekretin për të vënë në lëvizje fazën përfundimtare të planit të dyshuar. Një burim i përfshirë në operacionet e policisë i tha agjencisë së lajmeve Reuters se bllokimi i pasaportës lë të kuptohet mundësinë e arrestimit të tij në të ardhmen.
Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva tha se kundërshtari Bolsonaro “nuk ishte i përgatitur të largohej” nga detyra pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale.
“Ai u largua drejt Shteteve të Bashkuara duke ‘qarë’, sepse mund të ketë marrë pjesë në hartimin e tentativës për grusht shteti. Por, le të presim për hetimet. Shpresoj që së shpejti të kemi një përgjigje lidhur me atë që ndodhi realisht në Brazil”, tha Presidenti Luiz Inacio Lula da Silva.
Vendimi i gjykatësit të Gjykatës së Lartë të Brazilit, Alexandre de Moraes, për konfiskimin e pasaportës së ish Presidentit Bolsorano, u bë publik të enjten.
Policia tha përmes një deklarate se kontrolloi shtëpitë dhe zyrat e të dyshuarve që “vepruan për të organizuar një grusht shteti” për ta mbajtur zotin Bolsonaro në pushtet pas humbjes së zgjedhjeve të tetorit të vitit 2022 përballë udhëheqësit majtist, Luiz Inácio Lula da Silva.
Zoti Bolsonaro i tha një gazete braziliane të enjten se ai u largua nga qeveria, por ende ishte “duke vuajtur nga persekutimi i pamëshirshëm”. Ai tha se vendi po drejtohej nga dikush tjetër dhe vëmendja duhet larguar nga ai.
Konfiskimi i pasaportës shënon përshkallëzimin e hetimeve ndaj ish presidentit, një politikan i ekstremit të djashtë, që e paraqiste veten si versioni brazilian i ish presidentit Donald Trump.
Bolsonaros i është ndaluar kandidimi për poste politike deri në vitin 2030 dhe përballet me hetime të tjera penale që mund ta çojnë atë në burg. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat dhe thotë se hetimet kanë motive politike.
The post Policia braziliane i konfiskon pasaportën ish Presidentit Bolsonaro, i bastis edhe zyrat e partisë appeared first on ALBUK UK NEWS.