Triumfi i Realpolitikës
Është bërë traditë kur një personalitet i lartë perëndimor zbarkon për vizitë në Tiranë, Kryeministri i Shqipërisë përfiton për ta rikuperuar atë si një medalje nderi ndaj politikave të tij. Kështu ka bërë me Scholz, Von der Layen, Makron, Bill Klinton…Të njëjtën narrative vetëlavdëruese për punën e tij në shërbim të shqiptarëve po kompozon tani Edi Rama edhe me vizitën e Antony Blinken. Një numër i madh personalitetesh europiane ka shkuar edhe në Beograd në kuadrin e proceseve të zgjerimit të BE-së. Sa I besueshëm do të kish qenë një Vuçiç kur ashtu si Edi Rama do t’i komentonte këto vizita të «kokave» të Perëndimit si një njohje pa mëdyshje e demokracisë dhe sundimit të Shtetit të së drejtës në Serbi? Megjithatë si në Tiranë, ashtu dhe në Serbi, këta liderë botërorë nuk kanë denjuar të takohen me opozitën për të mos fyer pritësin me të cilin kanë interesa të tjera. Me Vuçiç ka dominuar interesi që ta shkëpusnin nga Moska dhe me Ramën nevoja midis të tjerash që ky mos ta kritikojë Vuçiçin.
A nuk ja vlen për perendimorët që në emër të këtyre interesave që përmbajnë një sfond ushtarak, ta bëjnë veshin e shurdhër ndaj kritikave të popullatave lokale? Antony Blinken është rasti më shembullor në këto momente i cinizmit në diplomaci, atë që ish-paraardhësi i tij i ndritur Henry Kissinger e quante me elegancë «Realpolitik», një term i huazuar nga një tjetër «perëndimor» i famshëm, Oto Bismark. Blinken vjen në Tiranë pas një baleti të pandalshëm diplomatik këto javët e fundit në kryqetetet e vendeve nga më diktatoriale të Lindjes së Mesme, si Jordania, Arabia Saudite, Katari, Emiratet, apo Egjipti…Kush do të pretendonte se në këto vende ekziston një opozitë, apo edhe nëse do të ekzistonte, Blinken do e kish mendjen, aty, tek të drejtat e njeriut, kur SHBA-ve i nevojiten si në një luftë për jetë a vdekje baza dhe aleatë gjeostrategjikë përballë “aksit të së keqes”, Rusi-Kinë-Iran?
Antony Blinken vjen vërtetë t’i shtrëngojë dorën Edi Ramës në Tiranë, por kurrsesi për t’i dhënë medalje nderi për pseudo demokracinë dhe sistemin kleptokratik që ky ka ndërtuar në dhjetë vjet. E njëjta dorë e Blinkenit sapo shtrëngoji po aq miqësisht dhe atë të diktatorit egjiptian Al Sissi që ndonëse vret dhe burgos opozitarë është mik i madh i perëndimorëve sidomos në këto momente kur një milion palestinezë janë mbledhur si turma bagëtish në kufi me Egjiptin në pritje të një gjesti bamirës të Kajros. Pa shkuar deri në vrasje të opozitarëve, Edi Rama ka arritur të vrasë fjalën e tyre në Kuvend, ka arritur të mbajë media nën kontroll me kërbaçin e dhunës fiskale ose me kulaçin e parasë së pisët të incineratorëve, e mbi të gjitha ka arritur të mbajë nën kontroll një sistem të korruptuar zgjedhor që i garanton vdekjen e rotacionit.
Dallimi i vetëm me Al Sissin dhe diktatorët e tjerë të Lindjes së Mesme që nuk e mohojnë se janë diktatura, qëndron te aftësia e Kryeministrit të Shqipërisë për ta maskuar performancën e njëjtë autokratike nën petkun e institucioneve demokratike. Alibia e tij është drejtësia alla perëndimore, ajo që lufton të gjitha krimet e politikanëve përveç ato që mbajnë firmën e VKM-ve të Kryeministrit. Rama ka po ashtu edhe alibinë prej betoni të kontrollit të zgjedhjeve nga OSBE-OHDIR që mesa duket raportet alarmante rrëqethëse mbi zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë gjetur deri tani lexues ne Bruksel apo në Uashington e aq më pak në Tiranën zyrtare. Rasti i tanishëm i Serbisë tregon megjithatë se Perëndimi, kur do, di t’i lexojë raportet e OSBE-së. Provë dhe një herë se Realpolitika nuk është shkencë ekzakte…
The post Analiza/ Genc Burimi: Blinken në Tiranë për Ramën apo për tensionet ndërkombëtare? appeared first on ALBUK UK NEWS.