Pas dy fletë-thirrje të refuzuara për tu paraqitur në prokurorinë e Tiranës, Drejtoreshës së Përgjithshme të Hipotekave, Dallëndyshe Bicit, i është dërguar një fletë-thirrje e tretë.
“Ora News” ka mësuar se thirrja për herë të tretë e Bicit është kryer nga prokurori dhe oficeri i çështjes, që po hetojnë procedurën e 30 praktikave të ndjekura nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Inspektoriati Mbrojtjes së Territorit që është në varësi të bashkisë së Tiranës.
Të dyja këto institucione gjatë një periudhe kohe janë drejtuar nga Dallëndyshe Bici dhe motra e saj, Elona Gogo.
Mbi 30 praktika ku inspektorët e IMT-së Tiranë dhe IKMT-së kanë konstatuar ndërtime pa lejë, rezultojnë të mos jenë ekzekutuar duke mos marrë masa për prishjen e objekteve dhe shtesave pa lejë.
Lidhur me këtë çështje, pak kohë më parë prokuroria e Tiranës, thirri dhe mori në pyetje Elona Gogon.
Pyetja e saj është kryer në cilësinë e personit që ka dijeni për inspektimet dhe kontrollin e ndërtimeve pa lejë në territorin e bashkisë së Tiranës.
Por ndryshe nga Gogo, motra e saj Dallëndyshe Bici, që dikur drejtonte IKMT-në dhe aktualisht është në krye të Agjesisë së Kadastrës Shqiptare, ka refuzuar dy herë të shkojë në prokurori dhe të japi shpjegime.
Mësohet se për të njëjtin rast në prokurori janë paraqitur dhe kanë dhënë shpjegime, ish-drejtuesi i IMT-së në bashkinë Tiranë, Mariglen Qato dhe ish-drejtuesi i IKMT-së Ajet Zyberi.
Të dy ish-zyrtarët kanë dhënë shpjegimet e tyre dhe më pas janë lënë të lirë. Ndryshe nga Dallëndyshe Bici, dy ish-zyrtarët nuk kanë bërë asnjë kundërshtim për tu paraqitur në prokurorinë e Tiranës.
Mësohet se fillimisht Bici, i bëri dalje fletë-thirrjes së parë duke u justifikuar se për shkak të axhendës së institucionit që drejton, e kishte të pamundur të paraqitej në datën dhe orën që e kishte thirrur prokuroria për tu pyetur.
Në fletë-thirrjen e dytë sërish Bici, ka refuzuar të shkojë për arsye ende të paqarta
Nisur nga kjo situatë, një fletë-thirrje e tretë i është dërguar Dallëndyshe Bicit, me qëllim paraqitjen e saj në ambientet e prokurorisë, ku duhet të japë shpjegime rreth gjetjeve të hetimit.
Pavarësisht kësaj situate, prokuroria e Tiranës ka vijuar gjatë kësaj jave me pyetjen e personave të tjerë që kanë qenë anëtarë të grupeve të kontrollit në teren, për evidentimin e ndërtimeve pa lejë në zona të ndryshme të Tiranës.
The post E treta e vërteta, akuza i çon fletë-thirrje të re Bicit të hipotekave për ta pyetur lidhur me 30 objekte pa lejë, nuk u shembën nga IKMT-ja appeared first on .