Komisioni Evropian ka publikuar në takimin e kolegjit të 27 komisionarëve paketën e zgjerimit sëbashku me raportet individuale të progresit për secilin shtet të përfshirë në këtë proces.
Ky raport u miratua edhe për 10 shtete që janë për herë të parë në këtë proces, duke përfshirë këtu edhe gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi, si edhe për Moldavinë, Gjeorgjinë e Ukrainën. Po ashtu, Raport Progresi ende hartohet edhe për Turqinë, shtet që formalisht ende ka statusin e vendit kandidat.
Në raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën është përmendur edhe çështja e liberalizimit të vizave. Në raport thuhet se pas miratimit në Këshill dhe Parlament Evropian, liberalizimi i vizave për kosovarët është planifikuar të hyjë në fuqi nga 1 janari 2024 dhe se mbajtësit e pasaportave nga Kosova do të mund të udhëtojnë në BE pa vizë deri në 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore.
“Propozimi i Komisionit për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës u miratua nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian, me miratimin e rregullores përkatëse më 9 mars 2023 në Këshill dhe më 18 prill 2023 në Parlamentin Evropian. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është planifikuar të hyjë në fuqi më 1 janar 2024”, thuhet në raportin e publikuar sot.
Ndërkohë në këtë raport thuhet se Kosova duhet të zhvillojë fushatë informuese për të drejtat dhe detyrimet që lidhen me statusin e udhëtimit pa viza, për të parandaluar keqpërdorimet e mundshme.
“Kosova duhet të zhvillojë një fushatë informuese të drejtat dhe detyrimet që lidhen me statusin e udhëtimit pa viza, për të parandaluar keqpërdorimet e mundshme”, thekson raporti.
Ndërsa, sa i përket legjislacionit për politikën e vizave, në raportin e KE-së thuhet se Kosova ende nuk e ka harmonizuar atë plotësisht.
Më tej theksohet se autoritetet e Kosovës kanë treguar përkushtim në adresimin e çështjeve të ngritura nga BE.
“Kosova ende nuk e ka harmonizuar plotësisht legjislacionin e saj me politikën e vizave të BE-së. Kosova mundëson udhëtim pa viza për udhëtarët e 110 vendeve me pasaporta të zakonshme për 90 ditë brenda një periudhe gjashtëmujore, duke përfshirë 22 vende që nuk kanë regjim pa viza me zonën Shengen. Mbajtësit e pasaportave të 89 vendeve duhet të marrin një vizë përpara se të hyjnë, 4 prej të cilave gëzojnë udhëtim pa viza në zonën Shengen.
Autoritetet lëshuese të vizave kanë kapacitetin për të mbledhur në mënyrë dighitale identifikues biometrikë nga aplikantët për vizë, megjithëse pajisjet kanë nevojë për përmirësim. Të gjitha vizat e dhëna dhe refuzimet regjistrohen në sistemin e informacionit të vizave. 16 konsullatat e Kosovës nëpër botë mund të lëshojnë viza. Kosova vazhdon të përmbushë standardet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Më 18 prill 2023, Parlamenti Evropian miratoi marrëveshjen me Këshillin mbi një propozim të Komisionit që u mundëson mbajtësve të pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë. Bazuar në këtë, që nga 1 janari 2024, mbajtësit e pasaportave nga Kosova do të mund të udhëtojnë në BE pa vizë deri në 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore. Gjatë procesit, autoritetet e Kosovës treguan përkushtim për të adresuar të gjitha çështjet e ngritura nga BE-ja”, thekson raporti.
The post Raporti i KE/ Nga 1 Janari hiqen vizat për Kosovën. Ja çfarë duhet të përmbushë Prishtina për të ruajtur statusin! appeared first on .