Një grua e moshuar izraelite, e cila u mbajt peng në tunelet e nëndheshme të Gazës për dy javë, pretendon se udhëheqësi i Hamasit qëndroi i heshtur kur ajo u përball me të.
Sipas mediave të huaja bëhet fjalë për Yocheved Lifshitz, 85 vjeçe, e cila u mor kundër dëshirës së saj nga shtëpia e saj në Kibbutz Nir Oz gjatë inkursionit të Hamasit në Izrael më 7 tetor.
Ajo tha se ndërsa ishte rob, u takua me Yahya Sinwar dhe u përball me të duke e pyetur se pse ai kishte urdhëruar trupat e tij të sulmonin vendbanimet civile në të gjithë Izraelin.
“Sinwar ishte me ne, tri deri në katër ditë pasi mbërritëm”, tha Lifshitz për gazetën Davar.
“E pyeta se si nuk i vjen turp të bëjë një gjë të tillë me njerëzit që gjithë këto vite kanë mbështetur paqen. Ai nuk u përgjigj. Ai heshti”.
Yocheved ishte një nga katër gratë e liruara herët në periudhën më të përgjakshme mes Hamasit dhe Izraelit në dekada.
Dhe një video e saj duke shtrënguar dorën e një rrëmbyesi të maskuar dhe duke thënë ‘shalom’, fjala hebraike për paqen, bëri bujë në mbarë botën.
Kur e pyetën pse e bëri këtë pas lirimit të saj, ajo thjesht tha: “Ata na trajtuan me butësi dhe plotësuan të gjitha nevojat tona”.
Por pavarësisht trajtimit të saj, ajo theksoi se ‘kaloi nëpër ferr’ gjatë qëndrimit të saj dy javor si peng.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj, 83-vjeçari Oded, mbetet në robëri dhe gjendja e tij nuk dihet aktualisht.
Komentet e 85-vjeçares vijnë pas raportimeve se Sinwar takoi edhe pengje të tjerë menjëherë pas kapjes së tyre.
Gjatë vizitës, Sinwar dhe vëllai i tij Mohammed, një figurë e lartë në krahun e armatosur të grupit, u thanë pengjeve se nuk do të lëndoheshin dhe do të ktheheshin në Izrael si pjesë e një marrëveshjeje shkëmbimi.
Një i afërm i një pengu të liruar së fundmi tregoi për mediat izraelite se Sinwar i tha grupit në hebraisht: “Përshëndetje, unë jam Yahya Sinwar. Ju jeni më të mbrojturit këtu. Asgjë nuk do të ndodhë me ju”.
Ndryshe, Izraeli e ka krahasuar Sinwarin me Osama Bin Ladenin dhe kishte premtuar se “ditët e tij janë të numëruara”.
Udhëheqësi politik 60-vjeçar është kreu i Hamasit në Rripin e Gazës dhe u shpall terrorist nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2015.
Ai është arrestuar disa herë nga Izraeli dhe ka kaluar 24 vjet në burgjet izraelite dhe është liruar në vitin 2011, si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve në këmbim të ushtarit izraelit Gilad Shalit.
The post E mbajtur peng për dy javë, gruaja e moshuar izraelite thotë se takoi shefin e Hamasit në tunelet e Gazës – tregon se çfarë i tha dhe si reagoi ai appeared first on .