Ministria tajvaneze e mbrojtjes tha se ndoqi lëvizjet e tre balonave të tjera të Kinës mbi ngushticën e Tajvanit të hënën, që janë pjesë e një numri në rritje të balonave kineze mbi ishullin e qeverisur që nga muaji i kaluar. Që nga dhjetori, ministria tajvaneze e mbrojtjes thotë se ka parë gati 20 balona kineze në lartësi të mëdha që kaluan vijën qendrore të ngushticës së Tajvanit, shumë prej të cilave kanë fluturuar mbi territorin e Tajvanit dhe tre prej tyre në javën e kaluar madje kanë kaluar mbi baza të rëndësishme ushtarake.
Ministria tajvaneze e Mbrojtjes akuzoi të shtunën Pekinin për kërcënim të sigurisë së aviacionit civil dhe luftë psikologjike me balona përpara zgjedhjeve presidenciale të 13 janarit në ishullin e vetëqeverisur.
E pyetur të hënën nëse balonat paraqesin një kërcënim për aviacionin civil ndërkombëtar, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning tha për agjencinë e lajmeve Reuters se “Unë nuk jam në dijeni të detajeve që përmendët dhe kjo çështje nuk ka të bëjë me punët e jashtme të Kinës”. Disa ekspertë besojnë se balonat e Kinës janë pjesë e përpjekjeve të Pekinit për të ndikuar në zgjedhje.
Michael Mazza, një drejtor i lartë në organizatën kërkimore me bazë në Virxhinia, “Project 2049 Institute”, thotë se balonat në lartësi të mëdha i shtohen avionëve ushtarakë dhe luftanijeve të Kinës rreth Tajvanit. “Mendoj se Kina po përpiqet të ndikojë në zgjedhje”, tha ai për Zërin e Amerikës përmes një emaili. “Dërgimi i tre balonave direkt mbi Tajvan është një paralajmërim. Kina po sinjalizon se është e gatshme të shkelë hapur kufijtë e Tajvanit”, shtoi zoti Mazza. “Me këtë veprim, ajo ka kaluar një prag, përshkallëzimi i mëtejshëm mund të përfshijë shfaqje më kërcënuese në hapësirën ajrore të Tajvanit. Mesazhi për popullin e Tajvanit është ky: gjërat mund të përkeqësohen, por ju mund të votoni për t’i përmirësuar ato.”
William Lai i Partisë Demokratike Progresive, që mbështet pavarësinë e ishullit, është kandidati kryesor në garën, në të cilën po merr pjesë edhe Hou Yu-ih nga Partia Nacionaliste, cili ka qëndrime më miqësore ndaj Pekinit. Kjo parti, e cilia njihet edhe me emrin Kuomintang ose KMT, është partia kryesore opozitare e Tajvanit. Në garë merr pjesë edhe kandidati i Partisë Popullore të Tajvanit, Ko Wen-je. Brian Hart, një studiues në Projektin Fuqia e Kinës në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me qendër në Uashington, tha për Zërin e Amerikës pas një diskutimi më 5 janar se gjatë vitit, Kina ka përdorur lloje të reja aktivitetesh, duke përfshirë përdorimin e shtuar të dronëve, për të rrethuar ishullin.
Ata po përdorin taktika të ndryshme për të kërcënuar Tajvanin dhe për të ushtruar trysni mbi administratën (e presidentes Tsai Ing-wen),” tha ai për Zërin e Amerikës. “Mendoj se do të shohim një vazhdim të këtyre aktiviteteve në përmasa të ndryshme. Nëse Lai fiton presidencën, ka shans që Pekini të intensifikojë këto veprime.”. Balonat e Kinës ishin në qendër të vëmendjes ndërkombëtarë në shkurt të vitit të kaluar, kur Shtetet e Bashkaura rrëzuan njërën prej tyre pasi ajo hyri në hapësirën ajrore të Amerikës. Pekini mohon se përdor balona për spiunazh dhe thotë se ato janë thjesht balona meteorologjike që kanë devijuar nga linja e fluturimit.
Raymond Kuo, drejtor i Iniciativës mbi Politikat për Tajvani në Korporatën RAND, tha se “fluturimet me balona janë në përputhje me strategjinë e shtrëngimit të zonës gri të Kinës ndaj Tajvanit”.
“Balonat udhëtojnë në lartësi shumë të mëdha, duke e bërë të vështirë rrëzimin e tyre”, shkroi ai në një email. “Ato janë gjithashtu platforma relativisht të mira për mbledhjen e informacioneve të zbulimit, janë në gjendje të lëvizin ngadalë në një zonë dhe ndoshta të kapin informacione të detajuara.”. Për Pekinin, thotë eksperti Kuo, balonat dëshmojnë se Kina mund të shkelë hapësirën ajrore tajvaneze sipas dëshirës dhe të sfidojë sovranitetin e ishullit, gjë që mund të jetë demoralizuese për popullsinë tajvaneze në zgjedhjet e ardhshme.
Zoti Kuo tha se megjithatë ka dyshime mbi efektshmërinë e taktikave të Kinës, pasi Taipei mund t’i përdorë këto incidente për të thelluar marrëdhëniet në fushën e sigurisë me Shtetet dhe partnerët e tjerë aziatikë.
Su Tzu-yun, një ekspert ushtarak në Institutin e Mbrojtjes Kombëtare dhe Sigurisë me bazë në Taipei, thotë se Tajvani ka treguar vetëpërmbajtje deri më tani, por në të ardhme mund të vendosë t’i rrëzojë ato. “Qeveria tajvaneze tani po dëshmon se është përgjegjëse për territorin e saj, ashtu siç e kërkon ligji ndërkombëtar”, tha ai. “Për më tepër, ajo u tregon qytetarëve tajvanezë se qeveria mund të zbulojë këtë lloj kërcënimi dhe të identifikojë nivelin e rreziqeve që paraqesin balonat për Tajvanin.”
Zoti Su tha gjithashtu se veprimet e Taipeit janë një demonstrim i një reagimi të matur ndaj një kërcënimi. “Tajvani po demonstron artin e përcaktimit të nivelit të duhur të përgjigjes ndaj kërcënimeve”, tha ai. “Kjo nuk do të thotë se durimi i Tajvanit nuk ka fund. Kur balonat fillojnë të përbëjnë një kërcënim për Tajvanin, autoritetet do të duhet të marrin masa të vendosura për t’i rrëzuar ato.”. Tajvani dhe Kina u ndanë në vitin 1949 pas një lufte civile. Ishulli i vetëqeverisur nuk ka qenë kurrë pjesë e Republikës Popullore të Kinës, por Pekini e sheh atë si një provincë të shkëputur, e ka deklaruar se do ta rimarrë me forcë, nëse do të jetë e nevojshme. Kina e konsideron Tajvanin e qeverisur në mënyrë demokratike si pjesë të teorritorit të saj dhe ka rritur presionin ushtarak në vitet e fundit në përpjekje për të detyruar ishullin të pranojë sovranitetin kinez. Qeveria e Tajvanit thotë se vetëm banorët e ishullit mund të vendosin për të ardhmen e tyre.
Shtetet e Bashkuara ndjekin politikën e një Kine të vetme, dhe nuk e njohin zyrtarisht pavarësinë e Tajvanit dhe nuk kanë marrëdhënie diplomatike me ishullin. Megjithatë, ligji amerikan kërkon një mbrojtje të besueshme për Tajvanin dhe që Uashingtoni t’i trajtojë si çështje të rëndësisë së lartë të gjitha kërcënimet ndaj ishullit./VOA
The post Ekspertët tregojnë ‘prapaskenat’: Kina po përdor balonat për të ushtruar ndikim mbi zgjedhjet në Tajvan appeared first on ALBUK UK NEWS.