Një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Katari mes Izraelit dhe Hamasit që parashikon lirimin e pengjeve dhe një pauzë disaditore të luftimeve është në “fazat e saj përfundimtare” dhe “më pranë se kurrë”, tha të martën një burim në dijeni të bisedimeve për agjencinë Reuters.
Marrëveshja do të mundësonte lirimin e rreth 50 pengjeve civile që mbahen nga Hamasi si dhe lirimin e grave dhe fëmijëve palestinezë nga institucionet e paraburgimit izraelite, tha i njëjti burim.
Nëse do të arrihej, kjo marrëveshje do të siguronte numrin më të madh të pengjeve të liruara deri tani si dhe shkëmbimin e parë të të burgosurve që nga fillimi i luftës më 7 tetor. Gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit ndaj Izraelit, Hamasi mori rreth 240 persona peng si dhe vrau 1200 të tjerë, pjesa më e madhe civilë.
Më herët të martën shefi i Hamasit tha për agjencinë Reuters se grupi militant palestinez ishte pranë një marrëveshjeje armëpushimi me Izraelin edhe pse sulmet e përgjakshme në Gazë vazhdojnë dhe raketa po lëshohen në drejtim të Izraelit.
Përgjithësisht Izraeli i ka shmangur komentet mbi statusin e bisedimeve të udhëhequra nga Katari. Televizioni izraelit Channel 12 citoi një burim të lartë të qeverisë të paidentifikuar, që tha se “janë pranë (marrëveshjes)”, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Netanyahu tha: “Ne po bëjmë përparim. Nuk mendoj se ia vlen të thuhet shumë, as në këtë moment, por shpresoj se së shpejti do të ketë lajme të mira “, thuhet në deklaratën e publikuar nga zyra e kryeministrit izraelit.
Netanyahu do të mblidhë kabinetin e tij të luftës “në dritën e zhvillimeve në çështjen e lirimit të pengjeve tanë”, tha zyra e tij, pasuar nga takimet e kabinetit të tij më të gjerë të sigurisë dhe kabinetit të plotë.
The post Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Katari mes Izraelit dhe Hamasit për pengjet, ‘më pranë se kurrë’ appeared first on .