ALBUK TV LIVE

Mbledhja online e Komisionit të Veprimtarisë së Prodhuesve, ministri Mete prezanton projektbuxhetin e vitit 2024: Synon t’i përgjigjet fazës së re të zhvillimit të ekonomisë

Ministri i Financave Ervin Mete ka mbajtur fjalën e tij para deputetëve në Komisionin e Veprimtarive Prodhuesve, ku ka prezantuar projektbuxhetin e vitit 2024.

Mete, gjatë mbledhjes që po zhvillohet online, për shkak se opozita nuk lejoi punimet në Kryesinë e Kuvendit, është shprehur se buxheti synon mbështetjen e rritjes së mëtejshme ekonomike përmes investimeve publike, shpërndarje të mirëqënies për qytetarët, punësim më cilësor dhe mbrojtje sociale për shtresat në nevojë.

Fjala e Ministrit Ervin Mete në Komisionin e Veprimtarive Prodhuesve – Projektbuxheti 2024

I nderuar Kryetar

Të nderuar Deputetë!

Projektbuxheti i vitit 2024 synon mbështetjen e rritjes së mëtejshme ekonomike përmes investimeve publike, shpërndarje të mirëqënies për qytetarët, punësim më cilësor dhe mbrojtje sociale për shtresat në nevojë.

Njëkohësisht, vijohet me konsolidimin e mëtejshëm fiskal, ku borxhi publik pritet të zbresë vitin e ardhshëm për herë të parë që nga viti 2011 nën nivelin 60% të PBB-së.

Rritja ekonomike për vitin 2023 është rishikuar në rritje, nga 2.6% që ishte projeksioni fillestar në 3.7%. Gjithashtu, edhe institucionet financiare ndërkombëtare, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar rishikuan në rritje projeksionet e tyre për rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Nisur nga momenti pozitiv që po kalon ekonomia e vendit, projeksionet janë për një rritje ekonomike prej 3.8% për vitin e ardhshëm, si edhe një rritje mesatare prej 4% në afatmesëm.

FMN vlerësoi së fundmi se ekonomia shqiptare shfaqet si një nga ekonomitë më rezistente të rajonit, ndërkohë që perspektiva ekonomike në vazhdim mbetet pozitive.

Edhe agjencia ndërkombëtare e vlerësimit “Standard & Poor’s” rishikoi në rritje perspektivën për Shqipërinë, nga e qëndrueshme në perspektivë pozitive. Ky rishikim, pas gati shtatë vitesh, është një tregues i progresit dhe trendit pozitiv të ekonomisë shqiptare.

Dalja nga lista gri e FATF/Moneyval pritet të sjellë një sërë ndikimesh pozitive për vendin, me efekte të pritshme në zhvillimin ekonomik, klimën e biznesit, investimet, si edhe sa i përket lehtësimit të kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit. Ky është një lajm shumë i mirë, por gjithashtu shërben si motivim për të forcuar më tej luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si edhe për të përmbushur në vazhdim angazhimet e ndërmarra me partnerët ndërkombëtarë.

Ky projektbuxhet synon t’i përgjigjet fazës së re të zhvillimit të ekonomisë dhe të mbështesë më tej rritjen ekonomike.

Të ardhurat buxhetore në raport me PBB për periudhën 2024-2026 parashikohen të rriten në vlerën mesatare prej 27.8% të PBB. Kjo, bazuar kryesisht në përmirësimin e administrimit fiskal, duke zgjeruar bazën e tatimit me synim minimizimin e informalitetit dhe shmangies tatimore.

Projektbuxheti 2024 parashikon shpenzimin e rreth 736 miliardë lekëve ose 30.2% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje në vlerë absolute prej 30.4 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2023.

Ky projektbuxhet vijon mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Projektbuxheti parashikon rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve të përgjithshëm, infermierëve dhe punonjësve të tjerë shëndetësorë, mësuesve në arsimin parauniversitar, forcave të rendit, të mbrojtjes dhe niveleve zbatuese të administratës qëndrore dhe vendore. Në total, efekti i përgjithshëm në buxhet për financimin e kësaj reforme madhore në sistemin e pagave kap vlerën 39 miliardë lekë.

Gjithashtu financohet indeksimi i pensioneve, i cili në dy vitet e fundit kap shifrën rreth 25 miliardë lekë. Vijon mbështetja për mbrojtjen sociale dhe shtresat në nevojë, mbi 1/3 e buxhetit shkon për kategoritë sociale, për skemën e pensioneve, ndihmën ekonomike, pagesën e paaftësisë, pagesën e papunësisë, asistencën sociale, ish-të përndjekurit, ish-pronarët, bonusin e bebes etj.

Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë 5.3% e PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin. Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit.

Në total, janë 128.5 miliardë lekë vijimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore, në linjë edhe me strategjitë sektoriale të zhvillimit. Në këtë fond, përfshihet dhe fondi i rindërtimit nga tërmeti në shumën 7 miliardë lekë. Në planifikimin e investimeve për vitin 2024, fokusi mbetet te financimi i projekteve të investimeve publike në fushën e transportit rrugor, detar, hekurudhor, zhvillimi urban dhe rajonal, ujësjellës kanalizime, trashëgimia kulturore dhe turizmi.

Më specifikisht, në fushën e Infrastrukturës dhe Energjisë është planifikuar një buxhet prej 52.7 miliardë lekë ose rreth 2.2% e Produktit të Brendshëm Bruto. Prioritetet për periudhën afatmesme 2024-2026 për këtë fushë do të jenë:

Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, i cili parashikohet të përfundojë në vitin 2024, duke përmirësuar më tej infrastrukturën rrugor dhe rritur aksesueshmërinë për qytetarët shqiptarë dhe vizitorët e huaj në bregdetin e jugut;

Zgjerimi i aksit Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit 8;

Projektet e Hekurudhës Tiranë-Rinas dhe Tiranë-Durrës do vijojnë të mbështeten me rreth 2.8 miliardë lekë për vitin 2024;

Fillimi i punimeve për Hekurudhën Vorë – Hani i Hotit, një projekt me vlerë të përgjithshme rreth 39 miliardë lekë, i planifikuar me financim të huaj;

Një portofol investimesh publike me vlerë 8.8 miliardë lekë për vitin 2024 në programin “Furnizimi me Ujë dhe Kanalizime” me financim të brendshëm dhe 2.2 miliardë lekë me financim të huaj, ku projekti kryesor është “Infrastruktura Bashkiake”;

Në fushën e turizmit synohet diversifikimi i produktit turistik për të arritur një turizëm gjithëvjetor, por edhe gjithëhapësinor.

Synohet zhvillimi i qëndrueshëm të zonës bregdetare, ofrimit të shërbimit të pastrimit gjatë sezonit turistik duke e shtrirë këtë shërbim në të gjithë vijën bregdetare për vitin 2024;

Zhvillimi i produkteve dhe shërbimeve të reja në turizëm, si dhe përmirësimi i imazhit të vendit përmes evente promovuese;

Mbështetja e projekteve të rëndësishme në transport, në vijën bregdetare, por edhe në ndërlidhjen rajonale.

Vijimi i mbështetjes buxhetore për pastrimin e bregdetit dhe zgjerimit me bashkitë e Shkodrës dhe të Lezhës.

Mbështetja e projekteve për Parkun Kombëtar të lumit Vjosa dhe shtigjeve në rrjetin e zonave të mbrojtura, në kuadër të nismave për turizmin gjithëvjetor.

Në Sektorin e Bujqësisë mbështetja e projektbuxhetit 2024 do të jetë në vlerën 14.2 miliardë lekë, ku veçohet:

Mbështetja me 2.1 miliardë lekë e skemës kombëtare të fermerëve, duke rritur numrin e përfituesve nga kjo skemë.

Mbështetja me 1.3 miliardë lekë të skemës së subvencionit të naftës për bujqësinë, duke rritur më tej numrin e përfituesve në këtë skemë.

Edhe përmes Aktit të fundit Normativ këtij sektori i është dhënë mbështetje, duke alokuar 1.8 miliardë lekë fonde shtesë për skemat e mbështetjes për fermerët.

Në projektbuxhetin e vitit 2024 mbështetet përmes financimeve përmirësimi i sistemeve të ujitjes.

Gjithashtu, i kushtohet vëmendje sigurisë së digave ujëmbledhëse, për të cilat alokohen rreth 600 milionë lekë shtesë për monitorimin, si edhe 500 milionë lekë është fondi në zërin e Emergjencave Civile për Bashkitë.

Investimet në fushën e Zhvillimit Rajonal (Fondi i Zhvillimit Shqiptar) parashikohen në masën 16.5 miliardë lekë, të fokusuara kryesisht në projekte të integruara zhvillimi që ndihmojnë edhe turizmin vendor, edhe infrastrukturën rurale

Nëpërmjet projektbuxhetit 2024 parashikohet t’i jepet mbështetje bizneseve të reja, kryesisht Start-Up-ve, ku parashikohen rreth 550 milionë lekë për skemat e mbështetjes në këtë fushë.

Sa i përket Buxhetit Vendor, shpenzimet për këtë nivel qeverisje për vitin 2024, janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me një rritje prej 10.4% në raport me buxhetin e vitit 2023. Këto shpenzime për vitin 2024, zënë rreth 3% të PBB-së. Pjesë e rëndësishme e buxhetit të pushtetit vendor është granti i qeverisjes qëndrore për njësitë vendore në masën 36.5 miliardë lekë, më shumë se gjysma e totalit të buxhetit të pushtetit vendor jepet si grant nga pushteti qëndror. Transferta e pakushtëzuar për vitin 2024 është në masën 24.3 miliardë lekë.

Përveç transfertave të pakushtëzuara dhe të ardhurave të veta, pra shumës prej 71.1 miliardë lekë, në portofolin e buxhetit vendor, ku përfituese do të jenë drejpërdrejtë bashkitë, parashikohen edhe 15.3 miliardë lekë që alokohen nga ministritë e linjës dhe institucionet qendrore, konkretisht:

–              Investime për rikonstruksion/ndërtim ujësjellësash për bashkitë në vlerën 4.5 miliardë lekë;

–              Investime nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit;

–              Fondi për emergjencat civile, lidhur me parandalimin e fatkeqësive natyrore;

–              Investime për rikonstruksion, ndërtim dhe rehabilitim shkollash;

–              Investime për ujitjen dhe kullimin;

– Fondi social, etj.

Defiçiti buxhetor për vitin 2024 planifikohet në nivelin 2.5% të PBB. Balanca primare, në përputhje me rregullin fiskal të parashikuar në Ligjin Organik të Buxhetit, planifikohet 0.2%, në një përmirësim nga niveli neutral, që pritet në fund të vitit 2023.

Kjo na siguron të kemi një borxh publik nën nivelin 60% të PBB-së, për herë të parë që nga viti 2011, çka na jep mundësi të kategorizohemi në rradhën e vendeve me financa publike më të qëndrueshme.

Shumë faleminderit!

The post Mbledhja online e Komisionit të Veprimtarisë së Prodhuesve, ministri Mete prezanton projektbuxhetin e vitit 2024: Synon t’i përgjigjet fazës së re të zhvillimit të ekonomisë appeared first on .

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *